...
Vende Unike
Vende unike piktoreske të Sarandës
  • Plazhi i Pasqyrave- Ky gji, ku qiejt blu shkrihen me thellësinë e detit të kaltër, është një vend i mrekullueshëm për ata që kërkojnë një vend për t’u arratisur.
  • Kalaja e Lekurësit- Ky thesar i trashëgimisë kulturore është një nga destinacionet kryesore në Sarandë. Kalaja ndodhet në majë të një kodre mes rrënojave të fshatit me të njëjtin emër,  i cili u braktis gjatë shekullit të 19-të.
  • Plazhi i Manastirit- Plazhi i gjendur poshtë manastirit të Shën Gjergjit, është një gji i mrekullueshëm, i cili nuk është kurrë i mbipopulluar me njerëz. I izoluar nga të dyja anët nga shkëmbinjtë që përfundojnë deri në det, ky vend i fshehtë  me ujra turkeze është një nga vendet më të mbrojtura nga natyra e paprekur.
  • Manastiri i 40 Shenjtorëve - Qyteti i Sarandës ka një histori të lashtë. Panorama mahnitëse e këtij qyteti antik dhe rrethinave të tij mund të shijohet nga kodrat pranë qytetit. Një nga këto vende magjike është dhe manastiri nga i cili mendohet se ka marrë emrin qyteti i Sarandës.
  • Plazhi i Ksamilit – I cilësuar si “perla e Jonit”, bregdeti i Ksamilit ofron një sërë mundësish, si plazhe me rërë të bardhë, gjire të fshehur dhe katër ishuj të vegjël e të gjelbëruar. Ky gji, i rrethuar me ujëra të bruztë, mund të arrihet me not ose me varkë.
  • Butrinti- I përshkruar si një "mikrokozmos i historisë së Mesdheut", Butrinti është siti i parë arkeologjik shqiptar i përfshirë në listën e trashëgimisë së UNESCO-s në vitin 1992.  Ky qytet antik, i cili u themelua rreth fillimit të shekullit të 7-të para Krishtit, ka tërhequr vëmendjen e historianëve dhe udhëtarëve për mijëra vjet.
  • Syri i Kaltër- Ndër thesaret e shumta të zonës, Syri i Kaltër konsiderohet një fenomen natyror i kategorisë së parë. Nën rrezet e diellit, uji i ftohtë që buron nga një thellësi rreth 50 metra  merr ngjyrën blu në formën e një syri. Qendra e burimit në ngjyrë blu të thellë dallohet qartë nga pjesa tjetër, e cila është në ngjyrë të gjelbër.
  • Plazhi i Pulëbardhës- Në një gji të vogël, të gjendur rreth 10 kilometra nga Saranda ndodhet Plazhi i Pulëbardhës. Ujërat e kthjellët që përplasen mbi guralecët e bardhë të këtij bregu shkëmbor e bëjnë këtë plazh një vend të përsosur për të shijuar diellin dhe klimën mesdhetare të vendit.
Shikoni gjithashtu

Our Partners